Bum apartamentesh në Tiranë, ndërtuesit: Jemi në prag të kolapsit financiar

Ofertat në tregun e apartamenteve në Tiranë sa vijnë e po shtohen, në kontrast me rimet e përshpejtuara të emigracionit. Aktorët e tregut shprehen se ka një mospërputhje mes kërkesës së individëve për shtëpi, të cilët duan çmime ekonomike, dhe atë çka ofrojnë firmat e ndërtimit. Në zonat e qendrës, ku çmimet janë mbi 2000 euro/m², aktorët e tregut paralajmërojnë se rrezikohet flluska. Në 2019-n, qyteti i Tiranës u rendit në vend të 10 si më i shtrenjti në Europë, duke përkeqësuar renditjen në krahasim me një vit më parë. Për më tepër, ndryshimet demografike nuk janë në favor të sektorit, emigracioni, ulja e lindshmërisë dhe plakja e popullsisë do të tkurrin kërkesën për shtëpi në afat të gjatë…

Në të gjitha zonat e kryeqytetit, firmat e ndërtimit po avancojnë me projektet e tyre, nga ato më të thjeshtat, që kanë në përbërje një ose dy firma ndërtimi, te projektet e mëdha. “Monitor” bëri një vëzhgim të pjesës më të madhe të projekteve që janë në proces ndërtimi në Tiranë. DownTown Albania, një prej shumë kullave që do t’i shtohet ofertës së pasurive të paluajtshme të Tiranës, është ende në një fazë fillestare dhe po ecën me ritme të ngadalta.

Në kantierin e ndërtimit në bulevardin “Bajram Curri”, Kastrati Construction ka hapur themelet e një kulle që do të jetë 137 metra e lartë (mbi 30 kate). Sipas menaxherit të shitjeve të kompanisë, në këtë projekt, çmimet e shitjeve për rezidencë fillojnë nga 2900 euro.

Një tjetër projekt i Kastratit është edhe Garden Residence Turdiu. Sipas planifikimit të projektit, oferta e apartamenteve në Tiranë do të shtohet me rreth 930-950 apartamente të reja deri në vitin 2022, kur të finalizohet. Të interesuar për blerje në këtë kompleks rezidencial na përgjigjet Edmondi, menaxheri i shitjes i kompanisë, i cili thotë se aktualisht firma ka dalë me një çmim më të lirë se sa çmimi i tregut në atë zonë, 800 euro për metër katror./Monitor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *