Maqedonia e Veriut përgatitet për vizitën e Papa Françeskut

Autoritetet maqedonase po përgatiten për të pritur papa Françeskun i cili do të shkojë në Shkup më 7 maj. Kryeministri Zoran Zaev tha se vendi i tij ndihet i nderuar për ardhjen e njërit prej drejtuesve më të rëndësishëm botërorë e shpirtëror që paraqet frymëzim për miliona besimtarë dhe qytetarë të vullnetit të mirë”. Autoritetet kanë ndarë 15 mijë vende në sheshin e Shkupit ku papa Françesku do të mbajë meshën e shenjtë.

Papa Françesku do të arrijë në orët e hershme të mëngjesit të shtatë majit në aeroportin e Shkupit, i shoqëruar nga një delegacion tridhjetë anëtarësh të Vatikanit, ndër ta Sekretari Shtetëror, kardinali Pjetro Parolin, prefekti i Kongregacionit për çështjen e kishave lindore, Kardinali Leonardo Sandri si dhe kryetari i Këshillit të Pontifikatit për promovimin e bashkimit krishter, kardinali Kurt Koh.

Në sheshin e Shkupi do të ketë vend për 15 mijë njerëz dhe ata do të duhet të marrin paraprakisht bileta të cilat janë falas. Kjo si masë e shtuar sigurie. Qytetarëve, veç tjerash, u kërkohet të mos mbajnë flamuj të mëdhenj. Interesi i medias është tepër i madh për këtë ngjarje; 400 gazetarë kanë kërkuar të akreditohen, prej tyre 200 të huaj./VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *