Bild paralajmëron 10 audiopërgjime të reja, përfshihet Gjiknuri

Gazeta Bild ka paralajmëruar daljen e 10 përgjimeve të reja pasditen e së enjtes. Gazeta Lajmi në mënyrë ekskluzive ka arritur të mësojë se materialet e reja lidhen përsëri me manipulimet e votave në favor të Partisë Socialiste në zonën e Dibrës.

Në përgjimet e kryera nga Prokuroria Shqiptare që pritet të publikohen nga gazetari Peter Tiede, flitet sërish për skemën e organizuar nga Partia Socialiste për të siguruar fitoren në Dibrër. Bisedat zhvillohen mes zyrtarëve të lartë socialiste, drejtuesve të policisë dhe personave të identifikuar si të lidhur me krimin.

Në to flitet sërish për blerjen e votave. Por edhe për shantazhe dhe mbledhjen e kartave të identitetit për votues të njohur si mbështetës të opozitës duke pamundësuar votimin e tyre.

Dialogjet tregojnë implikimin e zyrtarëve të lartë të policisë, të cilët u premtonin bosëve të krimit lehtësira në shkëmbim të angazhimit të tyre në terren në favor të Partisë Socialiste.

Ndërsa në njërën nga bisedat e përgjuara, shefi i komisariatit të Dibrës, Robert Aga i mburret specifikisht ministrit Damian Gjiknuri, në atë kohë shef i shtabit elektoral për Dibrën, se ai bashkë me njerëzit e tij, ka aplikuar një strategji të tijën në mënyrë që PS të fitojë zgjedhjet.

Në 18 qershor BILD, gazeta më e madhe gjermane përmes gazetarit të saj, publikoi 16 përgjime nga ‘Dosja 184’ për zgjedhjet lokale të 11 shtatorit 2016 në Dibër, ndërsa në 5 qershor, Peter Tiede publikoi 6 përgjime që lidheshin me dosjen 339 dhe përfshinin periudhën e zgjedhjeve të përgjithshme të 25 qershorit 2017./Balkanweb

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *